
Sipas raportit më të fundit të INSTAT-it, orët e punës për punonjësit shqiptarë sa vijnë e shtohen. Në fillim të këtij viti, një raport i Komisionit Evropian tregoi se shqiptarët janë ndër punonjësit me më pak presion për ta çuar punën deri në fund brenda afatit. Sipas këtij raporti, në përgjithësi rajoni i Ballkanit ka rendiment më të ulët pune, edhe pse vende si Suedia tashmë kanë aplikuar ditën 6-orëshe të punës.
Megjithatë, orët e punës në institucionet dhe kompanitë shqiptare, sa vijnë e shtohen.
Nga studimi i INSTAT rezulton se për vitin 2016, punonjësit shqiptarë kanë punuar 3 javë në vit më shumë se punonjësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë ulur orët e punës. Shqiptarët bëjnë më shumë orë pune tani, nga 42,4 në 42,9 orë në javë.
Sikurse vë në dukje “Monitor”, punonjësit me kohë të plotë në Britaninë e Madhe janë ata që i kushtojnë më shumë orë nga dita e tyre punës, nga të gjitha vendet e BE-së (mbajmë parasysh se BREXIT parashikohet të përfundojë në mars të 2019-ës). Dhe prapë, ne punojmë më shumë se britanikët, që bëjnë mesatarisht 42,3 orë pune në javë.

Megjithatë, meqë nuk reshtim së ankuari për lejet vjetore, duhet thënë se në këtë aspekt jemi më të privilegjuar se shumë shtete të tjera. Nga 28 shtete të BE-së, 20 prej tyre japin vetëm 20 ditë pushimi të paguara.
Kurse ne, meqënëse punokemi më shumë, meritojmë edhe më shumë ditë pushimi, ndaj marrim mesatarisht 22 ditë leje pushimi të paguara në vit.

Post a Comment