
I mituri i cili shkaktoi aksidentin tragjik të së dielës në zonën e Kamzës me një të vdekur dhe tre të plagosur, ia kishte marrë makinën të atit pa leje.
Mësohet se 15-vjeçari E.P., i kishte marrë çelësat e makinës tip “Benz” të të atit, pa u pikasur dhe kishte dalë fshehurazi nga shtëpia.
Pasi ishte nisur me makinë, ai kishte marrë me vete dhe tre shokët e tij, me gjasë për t’u krenuar mes tyre, pa e ditur se ai largim do i merrte jetën njërit prej tyre.
Teksa shëtisnin në rrugët dytësore të Kamzës, ndodhi gjëma, përplasja me pasojë një të vdekur.
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 15:25 të së dielës, ku 15-vjeçari humbi kontrollin mbi makinën që shihni në fotografi, duke u përplasur me një shtyllë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në rrugën “Donald Tramp”, ku drejtuesi i mjetit E.P., 15 vjeç, humbi kontrollin dhe nga përplasja e fuqishme mjeti u shkatërrua i gjithi.
Si pasojë e përplasjes mbetën të plagosur dhe tre shokët e tij, E.B., 11 vjeç, K.T., 16 vjeç dhe K.C., rreth 15 vjeç, të tre pasagjer në mjetin tip ‘Benz” dhe vetë ai.
Por si pasojë e dëmtimeve të marra pasagjeri K.C., 15 vjeç ndërroi jetë rrugës për në spital.

Post a Comment