
Në vend, 800 persona trajtohen për varësi ndaj drogërave, 719 prej të cilëve për varësi nga heroina. Për t’i qëndruar larg heroinës nevojitet metadon, një mjekim i cili sigurohej me fondet e Global Fund. Meqë Shqipëria nuk është më në listën e vendeve të varfra, fondi është ndërprerë dhe të varurit nga heroina ndihen të detyruar t’i kthehen drogës, në mungesë të mjekimit.

Shqipëria ka prevalencën vjetore më të lartë në botë tëpërdorimit të kokainës sipas të dhënave nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (shkurt UNDOC). Në vend, prevalenca e përdorimit të kokainës është 2.5% për grupmoshën 15-64 vjeç. Më pas vijnë Shtetet e Bashkuara me 2.3%.
Problemi i vetëm me kokainën nuk qëndron vetëm tek rritja e përdoruesve, por edhe tek cilësia e saj. Sipas Dr. Alert Drishti, mjek në organizatën jofitimprurëse “Aksion Plus”, të gjitha shenjat klinike tregojnë se nuk kemi të bëjmë më kokainë. Më shumë ka përzierës sesa drogë të mirëfilltë.
Paradoksi vihet re në rritjen e përdoruesve të drogërave dhe uljes së përdoruesve të alkoolit dhe duhanit. Sipas ISHP, kjo është arritur prej fushatave agresive kundër tyre dhe ligjit anti-duhan.
Aktualisht, qeveria nuk ka asnjë projekt apo strategji për menaxhimin e situatës, tregun e jashtëligjshëm apo marrjen nën kontroll të ofertës e kërkesës për substanca të jashtëligjshme.

Post a Comment